Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë të zgjeruar për median estoneze Postimees, ku ka folur për shumnë çështje, e mes të tjerash, edhe investimin e vajzës dhe dhëndrit të Donald Trump, në Shqipëri.

Sipas kryeministrit Rama, investimi i Jared Kushner dhe Ivanka Trump në Sazan nuk ka lidhje me presidentin Donald Trump. Rama shtoi se investimi shkon përtej politikës, pasi ka nisur para se Trump të ishte president, e para se Kushner të përfshihej në politikën e jashtme të SHBA-së.

Pjesë nga intervista:

Nën Presidentin Donald Trump, Shtetet e Bashkuara kanë qenë shumë transaksionale në politikën e tyre të jashtme dhe pozicionet politike shpesh lidhen me interesat e biznesit. Vitet e fundit ka pasur shumë investime amerikane në Shqipëri, përfshirë ato të lidhura me rrethin e ngushtë të Presidentit Trump, siç është dhëndri i tij Jared Kushner. Deri në ç’masë keni frikë se përzierja e biznesit dhe politikës në procesin e vendimmarrjes mund të bëhet problem në një moment?

Para së gjithash, kjo nuk është e saktë, sepse Jared Kushner erdhi në Shqipëri dhe ne filluam të bisedonim për interesat e tij për të investuar në Shqipëri atëherë, por Donald Trump nuk ishte president dhe as nuk ishte e sigurt nëse ai do të shkonte në Shtëpinë e Bardhë apo në burg. Pra, nuk ka të bëjë fare me faktin që ai është president tani, sepse nesër nuk do të jetë.

Investimi është ende duke vazhduar dhe për të parë këtë investim të madh, do të duhet të jetojmë përtej mandatit të Trump. Pra, nuk ka të bëjë fare me marrëdhëniet në aspektin politik dhe në aspektin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Ka të bëjë me dikë që është një biznesmen amerikan. Tani ai është përsëri shumë i përfshirë në politikën e jashtme të SHBA-së, por dje kur erdhi tek ne nuk ishte dhe nesër kur të vijë përsëri dhe të merret me investimin e tij në Shqipëri nuk do të jetë.