E njëjta skemë si ajo e konstatuar në Pogradec nga KLSH për abuzime në konbtratat e qirave vijon të përdoret në çdo skaj të vendit. Ndonëse të dhënat janë të pakta dhe shumë prej institucioneve nuk iu përgjigjën kërkesës për të dhënë informacion sipas ligjit për të drejtën e informimit, transfertat bankare tregojnë vlerat e qirave, përfituesit dhe datat kur janë kryer këto pagesa.

Ndër përfituesit me vlera të larta bie në sy Federata e Familjes për Paqe Botërore dhe Bashkim, një kult fetar që duket se vepron edhe në Shqipëri. Në këtë rast rezulton si përfituese e shumës së majme prej 10 milionë lekë në muaj. Mjaft ironike kjo situatë që shteti i paguan një kulti që instalohet në Shqipëri.

Një institucion i cili ka marrë sipërfaqe të madhe për zyra është drejtoria e përgjithshme e tatimeve. Bazuar në transaksionet bankare rezulton se nga viti 2019 deri në qershor të vitit 2025 ka shpenzuar rreth 46 milionë lekë, ose rreth 450 mijë euro. Të dhënat e thesarit tregojnë se qiratë e këtij instituciuoni variojnë nga 2 deri në 6 mijë euro në muaj. Megjithatë nuk janë të specifikuara zonat kadastrale për të cilat bëhet fjalë në mënyrë që të identifikohen dhe krahasohen me çmimet e tregut.

Nëse marrim për referencë kontratën prej 600 mijë lekësh, për 12 muaj, qiraja shkon plot 7.2 milionë lekë. Pas 10 vitesh, shuma do të shkojë mbi 70 milionë lekë ose 700 mijë euro, mjaftueshëm për të blerë apo ndërtuar mjaft zyra. Dihet se ky institucion është i përhershëm dhe nuk ka arsye të rëndojë faturën me qiratë që përveçse shpenzojnë, nuk të lënë një pronë.