Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ndal sërish te emërimi i ish-deputetit Dashnor Sula si Kryeinspektor i Përgjithshëm gjatë një komunikimi me ndjekësit e tij në rrjetet sociale.
Berisha komentoi anulimin e vizitës së kryeministrit Edi Rama në konferencën e Mynihut, duke thënë se “i mbeti në dorë Dashi”, duke iu referuar Dashnor Sulës. Ai e cilësoi këtë si një zhvillim pozitiv për qytetarët shqiptarë dhe për vendin, ndërsa akuzoi Ramën dhe organizatën e tij si “kriminale”.
Duke folur për ish-deputetin Sula, Berisha u shpreh se ai “doli nga rreshti pas 10 muajsh nga zgjedhjet” për shkak të mungesës së karakterit. Ai u bëri thirrje mbështetësve të vazhdojnë “kryengritjen paqësore” për të siguruar që “fatet e Shqipërisë dhe të familjeve tona të jenë në duart tona”.
