Ish-nënkryetari i PD-së, Edmond Spaho, ka zbardhur prapaskenat e përjashtimit të tij nga strukturat drejtuese të qarkut të Korçës dhe radhët e PD, duke deklaruar se vendimi ndaj tij u mor pa asnjë arsye zyrtare.
Gjatë një interviste ai shpjegoi se fillimisht e mbështeti rikthimin e Sali Berishës dhe ‘Rithemelimin’ pas zhgënjimit nga Lulzim Basha, por premtimet për parime demokratike dhe primare nuk u mbajtën.
Spaho zbuloi se kishte plotësuar edhe kushtin e vendosur për listat duke siguruar 400 emra emigrantësh për votim, por kjo nuk u mor parasysh nga drejtuesit e partisë.
Ai pranoi gjithashtu se ka pasur përplasje të ashpra, pothuajse fizike, me Flamur Nokën, për shkak të pakënaqësive që kishte shprehur hapur ndaj linjës së ndjekur nga partia.
“U prishën koalicionet parazgjedhore. Kështu që filloi një moment shumë i favorshëm për Berishën dhe ‘Rithemelimin’, njerëzit ishin shumë të zhgënjyer nga PD dhe humbjet e Bashës. Të gjithë ne u treguam të gatshëm për ta mbështetur Berishën në rikthim.
U premtua që do të mbështetej te anëtarësia, u premtua që ‘Primaret’ do të jenë ato që do të zgjedhin kandidatët. Nuk pati asnjë arsye që u përjashtova. U kërkua që nuk do të ketë deputet që nuk do hyjë në listë të mbyllur nëse nuk sjell 300 emra emigrantësh që do të votojnë PD, 400 solla unë, por premtimi nuk u mbajt. Me Flamur Nokën jemi përplasur, vetëm fizikisht nuk jemi përplasur.
Nëse qëndrimet e mia janë parë si rrezik, kjo është punë e tyre. Unë iu kam thënë që jam i pakënaqur. Kur u përjashtova nga qarku i Korçës, nuk më jepnin asnjë arsye”, tha Spaho.
