Ish-deputetja e Partisë Socialiste, Marjana Koçeku, i është bashkuar kritikave ndaj shpenzimeve për koncertin e Kanye West, duke kërkuar që fondet të ishin përdorur për përballimin e emergjencave.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Koçeku u shpreh se rreth 4 milionë eurot e planifikuara për organizimin e koncertit duhej të ishin investuar në parandalimin e zjarreve, mbështetjen e banorëve të prekur dhe forcimin e kapaciteteve të strukturave të emergjencës.

Ajo kujtoi situatën e vështirë të krijuar nga zjarret gjatë vitit të kaluar, duke theksuar se edhe këtë verë vendi rrezikon të përballet me një sezon edhe më problematik për shkak të temperaturave të larta.

“Vjet vendi ynë kaloi një katastrofë zjarresh. E kam parë nga afër dëmtimin e jashtëzakonshëm që iu bë natyrës. Këtë vit pritet që situata të jetë edhe më alarmante për shkak të temperaturave të larta.

4 milionë eurot e një stadiumi njëpërdorimësh do të duhej të ishin investuar në parandalimin e zjarreve, në mbështetjen e banorëve dhe në forcimin e kapaciteteve të emergjencave.

Shteti dhe llogaridhënia nuk zëvendësohen me spektakël. Humbja e natyrës është humbje e Shqipërisë”, shkroi Koçeku.