Komuna Labinot
Banorët: Na kanë vjedhur pronat. Kryekomunari: Letër Kryeministrit
Banorët e fshatit Griqan në Komunën Labinot-Fushë janë ngritur në protesta kundër privatizimit të ish-rezervave të shtetit dhe të një sipërfaqeje toke bashkë me rrugën e fshatit. Ata në mënyrë demonstrative kanë hequr rrethimin dhe kanë kërkuar të merren masa dhe t’u kthehet prona. Historia e privatizimit të rezervave të shtetit dhe të tokës ka filluar gjatë zgjedhjeve dhe është bërë fakt në dhjetor 2013. Veli Dushku, punonjës i urbanistikës pranë Komunës Labinot-Fushë thotë se banorët e fshatit Griqan janë ankuar në komunë për përvetësimin e padrejtë të pronave të tyre. “Ish-drejtori i rezervave të shtetit në ndërmarrjen NFN, Pëllumb Hyseni, i ka privatizuar në emër të të birit rezervat edhe në një territor tjetër. Ne si komunë e quajmë të pavlefshëm pavarësisht se ka dalë nga regjistrat kadastralë. Toka në Komunën Labinot-Fushë është në proces azhornimi dhe nuk mund të ketë dokument hipotikimi. Për momentin, ky territor është publik. Privatizimi është i paligjshëm. Këtë zonë e pretendojnë dy trungje familjeje të Dushkut dhe Qoses. Ish-përgjegjësi ia ka shitur të birit. Vërtetimi hipotekor për ne është i padrejtë. Shitja është bërë në periudhën e zgjedhjeve dhe dokumenti ka ardhur në komunë në dhjetor të vitit 2013”, sqaroi punonjësi i urbanistikës, në Komunën Labinot-Fushë. Sipas tij, sapo komuna është vënë në dijeni, ka reaguar duke mos miratuar lejen zhvillimore të kërkuar nga Pëllumb dhe Julian Hyseni dhe kompania Elteks sh.p.k, ndërsa këto të fundit vendosën që çështjen ta ndiqnin në gjykatë, por drejtësia ua rrëzoi kërkesën. Mësohet se banorët protestues kanë kërkuar ndërhyrjen e të gjitha instancave, të policisë, madje dhe të Kryeministrit për të ndalur zbatimin e kësaj prone. Familjarët, që janë pretendues të pronës, thonë se objektet dhe territori nuk mund të privatizoheshin pa firmën e ish-pronarëve. “Ne kemi dokumente dhe ai e ka shitur tokën tonë. Do ta ndjekim deri në fund për të marrë pronën tonë”, thonë familjarët. Nga ana tjetër, kryetari i komunës, Osman Qosja, tha se ky konflikt ka lindur prej disa muajsh. “Jemi të njohur me ankesat që kanë bërë banorët. Konflikti ka filluar prej 6 muajsh, kur u mësua privatizimi nga ish-përgjegjësi Pëllumb Hyseni, që ia ka privatizuar të birit. Këtu bëhet fjalë jo vetëm për pjesën e rezervave, por edhe për pjesën komunale, prej 2 hektarësh të tjerë, që janë pjesë e komunës dhe ka kaluar si fond komunal. U kemi bërë ankesa të gjithë ministrive dhe zyrës së regjistrimit të pasurive, por kjo ka rënë në vesh të shurdhër. U kemi dërguar të gjitha instancave informacion. Ato jo vetëm që e kanë privatizuar, por kanë filluar t’ua shesin tokën personave të tjerë që kanë përreth. Ky terren ka qenë planifikuar edhe për studimin e komunës për ndërtimet e fshatit. Është vetëm 4 km nga qyteti ku jetojnë mbi 2 mijë banorë të kësaj komune dhe në projekt të zhvillimit të territorit është planifikuar që të bëhen ndërtime për nevoja të fshatit. Po ashtu është bllokuar rruga dhe nuk është dokumentuar ekzistenca e rrugës në hartën e azhornimit ku është regjistruar prona. Për mendimin tim është një mashtrim me tendenca korruptive”, shpjegoi Qosja. Sipas tij, firmat përfituese kanë hedhur në gjyq komunën për të marrë leje ndërtimi për rrethimin. Por, në Gjykatën Administrative u rrëzua poshtë dhe nuk do t’i japë leje zhvillimore. “Ne si hap të ardhshëm do të dërgojmë letër deri te Kryeministri, pasi vetëm atje mendojmë të gjejmë mbështetje. Komuna zotëron të gjithë dokumentacionin që vërteton se një pjesë e sipërfaqes së privatizuar i ka kaluar si fond pyjor Komunës Labinot-Fushë. Sipas dokumentacionit ngastra nr. 1/3a në vendin e quajtur Rrapishtë Labinot në ekonominë pyjore Labinot sqarohet se është një sipërfaqe prej 7.25 ha nga e cila 2.0 ha janë transferuar në pronësi të qeverisjes vendore”, tha kreu i Komunës Labinot-Fushë. Bardha Nergjoni