Nevenka Tromp, ish-anëtare e ekipit hetimor në tribunalin e Hagës për ish-Jugosllavinë, pas vendimit të Hagës ndaj ish-krerëve të UÇK-së, tha se Gjykata Speciale “nuk ishte krijuar kurrë për të dhënë drejtësi”.

“Dhomat e Specializuara të Kosovës janë diçka që unë tani e quaj “drejtësi të humbësit”. Pse? Sepse u krijuan si një lloj mënyre për të qetësuar një Serbi shumë, shumë kokëfortë. Një Serbi që e humbi luftën dhe jo vetëm luftën e Kosovës. Serbia i humbi të gjitha luftërat që nisi në vitet ’90. Por, bota e jashtme, në një farë mënyre, dëshiron ta mbajë Serbinë në procesin e normalizimit, të negociatave dhe dialogut me Kosovën. Dhe Serbia është gjithmonë problematike. Në vitin 2010, kur Serbia nisi këtë fushatë për demonizimin e shqiptarëve të Kosovës dhe kriminalizimin e UÇK-së, bota e jashtme – të njëjtat shtete demokratike që kishin ndihmuar në krijimin e Tribunalit për ish-Jugosllavinë – në njëfarë mënyre iu nënshtruan presionit të Serbisë dhe vendosën të krijonin këtë gjykatë. Pra, kjo gjykatë nuk ishte krijuar kurrë për të dhënë drejtësi. Ishte një gjykatë e krijuar për të qetësuar palën serbe, humbësen e luftës”, tha Tromp.

“Dhe kjo është arsyeja pse debati sot është pothuajse i tepërt. Gjykata nuk mund të jepte drejtësi, sepse ajo nuk u krijua për të dhënë drejtësi. Ajo ishte e njëanshme dhe e politizuar që nga dita e parë”, shtoi Tromp.