Ish-këshilltari për Sigurinë Kombëtare i Presidentit Donald Trump, John Bolton, është shprehur se vendimet e SHBA-së për shpalljet ‘non grata’ merren mbi baza faktike e gjeopolitike dhe jo si rezultat i lobimeve. Komentet Bolton i bëri në një intervistë televizive, ku deklaroi se politika e SHBA-së për shpalljet ‘non grata’ bazohet në interesat e sigurisë kombëtare amerikane dhe jo si mjet për goditje politike.
Sipas tij, edhe pse këto vendime mund të kenë pasoja politike lokale, kjo nuk është arsyeja që i motivon Shtetet e Bashkuara.
Duke folur për marrëdhëniet Kosovë–Serbi, Bolton sqaroi se administrata e parë Trump mbështeste idenë që palët vetë të gjenin një zgjidhje të përhershme, pa imponim nga jashtë. Ai tha se SHBA nuk ishte kundër përshtatjes së territoreve, për sa kohë që kishte dakordësi mes dy vendeve dhe gjithçka bëhej brenda kuadrit ligjor. Sipas Bolton, zgjidhja përfundimtare është thelbësore për të shmangur ndërhyrjen e aktorëve të jashtëm që synojnë destabilizimin e Ballkanit.
Bolton vlerësoi se rreziku i paqëndrueshmërisë në Ballkan mbetet real, sidomos në kontekstin e luftës në Ukrainë dhe ambicieve të Rusisë. Ai theksoi se stabiliteti i rajonit është në interes të SHBA-ve dhe se NATO mbetet shtylla kryesore e sigurisë, pavarësisht sfidave aktuale në marrëdhëniet transatlantike.
