Ish-drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli, është paraqitur sërish këtë të mërkurë në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), në kuadër të hetimeve që vijojnë ndaj tij.
Sipas gazetares së Top Channel, Anila Hoxha, Gjyli ka qëndruar rreth 30 minuta në ambientet e SPAK-ut dhe është shoqëruar nga avokati i tij.
Kjo është hera e dytë që ish-kreu i ARRSH-së paraqitet pranë Prokurorisë së Posaçme brenda pak javësh, teksa hetimet ndaj tij janë ende në vijim.
Gentian Gjyli është marrë i pandehur nga SPAK dhe akuzohet për veprën penale “shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera”, e kryer dy herë në bashkëpunim.
Hetimi lidhet me periudhën kur Gjyli drejtonte Autoritetin Rrugor Shqiptar. Paraqitja e tij e sotme dyshohet se lidhet me vijimin e procedurave hetimore dhe veprimet e kërkuara nga organi i akuzës për dokumentimin e çështjes.
