Procedimi disiplinor


Këshilli i Prokurorisë së Përgjithshme ka filluar procedimin disiplinor ndaj ish-kryeprokurorit të Beratit, Xhemal Saliasi. Objekti i këtij procedimi është dalja publike e Saliasit kundër sistemit të prokurorisë. Sipas ligjit “Për prokurorinë” një prokuror nuk lejohet të japë konferenca apo deklarata shtypi pa marrë më parë leje në zyrën e prokurorit të përgjithshëm. Burime nga Këshilli pohojnë për gazetën “Shqip” se kanë filluar verifikimet e para dhe së shpejti Saliasi, që tashmë është prokuror i thjeshtë po në Berat, do të japë shpjegimet rreth këtij procedimi. “Konflikti” mes Saliasit dhe prokurorisë ka ardhur pas një çështjeje në Prokurorinë e Beratit, ku i implikuar ishte shoferi i Saliasit. Akuza qendrore vlerësoi se delegimi i çështjes së shoferit të Xhemal Saliasit në Prokurorinë e Lushnjës ishte i gabuar. Me një vendim të Kryeprokurores Ina Rama, Saliasi u largua si drejtues në Berat, ndërsa i “proceduari” doli në një konferencë për shtyp në Ministrinë e Drejtësisë duke “akuzuar” krerët e Prokurorisë së Përgjithshme. Madje, depozitoi edhe një padi në Gjykatën e Tiranës, ku akuza qendrore, sipas Saliasit, kishte vepruar gabim me një urdhër. s.ç