Një atentat mafioz me armë zjarri tronditi Shkodrën paraditen e sotme, duke lënë pas dy të vrarë dhe tre të plagosur, mes tyre edhe Erogen Vaso, një emër i njohur në qytet, si për përfshirjen në sport ashtu edhe për lidhjet e dyshuara me botën e krimit.
Vaso, i cili ka qenë futbollist i ekipit të Vllaznisë dhe më vonë president i klubit të futbollit Tërbuni i Pukës, u plagos rëndë gjatë sulmit me armë automatike kallashnikov, i cili ndodhi në një lokal në zonën e Perashit.
Burime mjekësore kanë konfirmuar se ai ka marrë tre plumba në trup, të cilët kanë prekur arterie jetike, ndaj menjëherë u transportua drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë, ku po trajtohet në kushte intensive.
Nga atentati mbetën të vrarë Armando Pali, ish-anëtar i Këshillit Bashkiak dhe punonjës i IMT-së, si dhe Liridon Kraja, i cili fillimisht u plagos, por ndërroi jetë në spital si pasojë e plagëve të marra. E plagosur mbeti gjithashtu edhe një 25-vjeçare që punonte si kameriere në lokal, e cila ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Autori i dyshuar i sulmit është Rakip Gila, një person me precedentë penalë, i arrestuar më parë për mbajtje armësh dhe pajisjesh të paligjshme. Ai u kap nga Policia e Shtetit disa minuta pas atentatit, pas një ndjekjeje që përfundoi pranë lumit Kir.
Gila tentoi të arratisej me një mjet të grabitur, por u përplas në trafik dhe më pas u lokalizua nga forcat e rendit. Në momentin e arrestimit kishte ende me vete armën e krimit, një kallashnikov.
Hetimet vijojnë për të zbardhur motivacionin e atentatit dhe për të verifikuar nëse kanë qenë të përfshirë edhe persona të tjerë në organizimin apo ekzekutimin e ngjarjes.