Në këtë teatër të presionit dhe mbrojtjes së vetes, emri i parë i madh i politikës që ra në rrjetën e SPAK ishte Arben Ahmetaj.

Dikur ndër figurat më të fuqishme të qeverisë, sot është në kërkim nga SPAK, i zhdukur që prej korrikut 2023.
Nga Zvicra, ku ka kërkuar azil politik, ai ndjek në distancë dy dosjet ku akuzohet për Korrupsion, duke u kujdesur të japë edhe mesazhe apo kërcënime të hapura publike.

“Ka qenë një nga dosjet më të forta, e cila u finalizua me masa sigurimi dhe me një përmbyllje të hetimit paraprak, duke ngritur dyshime dhe marrë nën hetim zyrtarisht zv kryeministrin Ahmetaj, hetime që pasuan nuk është se ishin më pak të rëndësishme”, u shpreh gazetarja, Bleona Metushi.

Prokuroria e Posaçme, ngriti ndaj ish zv. kryeministrit akuza për favorizimin e biznesmenëve që siguruan kontratat e inceneratorëve në këmbim të përfitimit të një vile dhe shumave të mëdha financiare.

Akuzat ndaj zyrtarit të lartë tashmë në kërkim, nuk mbarojnë këtu. Ahmetaj është marrë i pandehur edhe për privatizimin e kompanisë “Buka”, ku sipas SPAK janë konstatuar shkelje të rënda.

Prokuroria e Posaçme thotë se ai ka shkaktuar një dëm prej 7 miliardë lekësh të vjetra, duke privatizuar në mënyrë të paligjshme një pasuri shtetërore. Ndërkohë, sipas informacioneve të fundit, thuhet se Struktura antikorrupsion po heton një transfertë 3 milionë euro drejt Zvicrës.

“Fakti që presioni publik ishte shumë i lartë në këtë strukturë sigurisht që detyron që të tërë prokurorët dhe oficerët të policisë gjyqësore, t’i përgjigjen në nivelin më të lartë dhe më të shpejtë në rast se munden kësaj pritshmërie”, u shpreh avokati, Eugen Beci.

Sali Berisha, i konsideruar ndoshta si politikani më i fuqishëm në mbi 3 dekada demokraci, u përball me realitetin e ri të SPAK.

Ajo dosje, u konsiderua gjerësisht si momenti që koha e të paprekshmëve po merrte fund. Vënia nën akuzë e Berishës, solli sulmet e para të drejtpërdrejta për Altin Dumanin.

“Në rast se opozita e sulmon Prokurorinë e Posaçme për parime, për mënyrën sesi funksionon mënyrën si procedon, kjo është mëse normale, por në rast se opozita sulmon në mënyrë nominale, me emra të përveçëm, duke ju shmangur parimit sigurisht që kjo është diçka e dëmshme dhe krijon një lloj trysnie, sepse në fund të fundit ata në prokurorinë e posaçme si drejtuesi si prokurorët dhe oficerët janë njerëz prej mishi dhe prej gjaku dhe ndikohen edhe nga këto lloj sulmesh individuale”, u shpreh Eugen Beci, ish-prokuror.

“Pavarësisht mund të ketë presione direkt indirekt por nuk ka shumë efekt tek kjo strukturë e posaçme, se kjo monitorohet 24 në 24 nga partnerët tanë strategjikë”, u shpreh Tartar Bazaj, ish-anëtar i KLP.