Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi dënimin me 18 vite burg për ish-zyrtarin e Policisë së Shtetit, Arjan Tase, i cili përplasi për vdekje me skaf 7-vjeçaren Jonada Avadiaj në plazhin e Potamit.
Tase kishte apeluar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë në Vlorë, e cila e kishte shpallur fajtor për “vrasje me dashje në mënyrë indirekte”, por Apeli e rrëzoi kërkesën e tij dhe la në fuqi dënimin.
Ngjarja e rëndë ndodhi në gusht të vitit 2022, kur Tase, duke drejtuar një skaf privat, shkeli rregullat e lundrimit duke hyrë me shpejtësi drejt bregut për të marrë familjen e tij. Për pasojë, ai përplasi për vdekje të miturën Jonada Avadiaj, duke shkaktuar tronditje të madhe në mbarë opinionin publik.
Vendimi i Apelit vlerësohet si një hap i rëndësishëm drejt drejtësisë për familjen e vogëlushes dhe një mesazh për respektimin e rregullave të sigurisë në det.
