Ish-prokurori Tom Deda ka kërkuar nga Gjykata Administrative që të përfshihet si palë e tretë në procesin që lidhet me emërimin e Ols Dados si prokuror. Pas një pushimi prej rreth 20 minutash për shqyrtimin e kërkesës, trupa gjykuese ka rinisur seancën, ndërsa Deda është lejuar të paraqesë pretendimet e tij në sallën e gjyqit.

Para gjykatës, ish-prokurori deklaroi se emërimi i Ols Dados përkon me periudhën kur ai u shkarkua nga detyra, duke pretenduar se largimi i tij kishte lidhje me krijimin e një vendi vakant për emërimin e pasuesit. Sipas Dedës, nëse emërimi i Dados do të shpallet i paligjshëm, ai do të kërkojë dëmshpërblim për shkak të shkarkimit që pretendon se ka qenë i padrejtë.

Deda: Mënyra e largimit dhe shkarkimit tim, duhej të hapej një vend dhe të emërohej dikush tjetër. Ata duhej të më shkarkonin mua dhe të emërohej Ols Dadon. Por përkon periudha kohore.

Gjykata: Çfarë interesi ke ti nga ky gjykim? Cili është interesi yt i drejtpërdrejtë?

Deda: Ina Rama më ka shkarkuar për një qëllim kriminal. Në momentin që do shkarkohet Ols Dado unë do të bëj një kërkesë për dëmshpërblim sepse mesa duket më kanë shkarkuar mua për të emëruar Dadon. Procedura ka nisur në shtator 2008 dhe ka përfunduar në tetor 2009. Më pas unë fitova të drejtën në Gjykatën e Lartë dhe jam rikthyer në 2013. Ata janë një organizatë kriminale së bashku me Ina Ramën.