Jola Hysaj është emëruar drejtoreshë e Agjencisë Kombëtare të Turizmit. Hysaj më herët ka mbajtur postin e sekretares për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë Demokratike, nga ku u largua në mars të këtij viti.

Në kohën e largimit nga PD, ajo njoftoi dorëheqjen nga funksioni partiak dhe nga anëtarësia në forcën politike, duke shpjeguar se vendimi lidhej me zhvillimet e brendshme dhe mënyrën e funksionimit të strukturave drejtuese në PD. Ajo kritikoi gjithashtu përjashtimin sistematik nga përfaqësimi në këshillat bashkiakë, sipas saj të individëve me kompetencë dhe integritet, si dhe mënyrën e hartimit të listave të mbyllura për Qarkun e Durrësit. Sipas saj, mungesa e hapjes reale brenda Partisë Demokratike ishte problemi kryesor, duke theksuar se vendimet e rëndësishme shpesh mësoheshin nga mediat dhe jo nga strukturat e partisë.