“Duam bukë. Duam që Kryeministri të na gjejë zgjidhje”
Një ditë pas vendimit të Task-Forcës, të ngritur nga prefekti Sadi Vorpsi dhe Bashkia e Tiranës, shitësit e tregut tek ish-uzina “Dinamo” nisin protestat. Për rreth dy orë, mëngjesin e djeshëm, ata bllokuan hyrjen kryesore të këtij tregu, duke kundërshtuar mbylljen që, sipas tyre, është e padrejtë. Në shenjë revolte, ata vendosën kazanë me mbeturina në hyrje të tregut, duke bllokuar edhe rrugën kryesore, ku mundësia për lëvizjen e makinave u bë gati e pamundur. Në një situatë si kjo, u desh ndërhyrja e forcave të policisë, të cilët u munduan të bindnin tregtarët të zhbllokonin rrugën. Bëhet e ditur se gjatë zhvillimit të protestës ka pasur edhe një përplasje fizike midis tregtarëve dhe policisë. Me thirrjen “duam bukë”, ata argumentojnë se kjo mbyllje do të lërë një numër të madh njerëzish pa punë, gjë e cila do të ndikojë jo vetëm në buxhetin e gjithsecilit prej tregtarëve, por edhe në rritjen e papunësisë në vend. “Ky treg i shërben çerekut të qytetit”, thanë tregtarët, ndërsa shtojnë se me punën e deritanishme në këtë treg ata kanë ushqyer familjet.
Tregtarët kërkojnë takim të menjëhershëm me Kryeministrin e vendit, prefektin dhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës, që t’i japë zgjidhje hallit të tyre, e sidomos padrejtësisë që po u bëhet. “Premtuan që do të hapin vende pune, por ato po i mbyllin. Ne jemi taksapagues, ne nuk jemi kundër shtetit, por shteti, prefekti të vijë këtu, pastaj të marrë vendime. Duam Kryeministrin këtu”, apelon një prej tregtarëve. Ata theksojnë se në ditët në vijim do të ketë të tjera protesta, deri në zgjidhjen e kësaj çështjeje.
Ndërkohë, në njoftimin zyrtar të Unionit të Tregtarëve Agroushqimorë dhe të shoqatave të lira të tregtarëve të tregut “Dinamo”, thuhet se do të zhvillojnë një protestë përpara Prefekturës së Tiranës. Kjo pasi, sipas tyre, rreth pesë mijë qytetarë, tregtarë, familjarë dhe punëtorë dalin në rrugë, për shkak të vendimit. I.H.