Detaje të reja kanë dalë në dritë nga grabitja e ndodhur në një bankë në Tiranë, ku një person ende i paidentifikuar arriti të marrë një shumë parash dhe të largohej pa u kapur.

Për këtë ngjarje është arrestuar punonjësi i sigurisë, i dyshuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”. Në dëshminë e tij para hetuesve, ai ka deklaruar: “Isha në banjë kur ndodhi grabitja e arkës. Derën nuk e mbylla nga brenda, pasi e harrova instinktivisht”.

Sipas hetimeve paraprake, autori ka përfituar nga fakti që dera hyrëse nuk ishte siguruar sipas protokollit, duke hyrë në ambientet e institucionit me një kokore në kokë dhe me një objekt që dyshohet se ka qenë armë lodër.

Më pas, ai është drejtuar drejt arkës, ku ka marrë një shumë parash ende të papërcaktuar zyrtarisht, për t’u larguar menjëherë nga i njëjti akses hyrës.

Sipas policisë, moszbatimi i procedurave të sigurisë nga punonjësi ka krijuar kushtet që autori të realizonte grabitjen dhe të largohej pa hasur pengesa. Ndërkohë, vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e personit përgjegjës.