Deputeti i PD-së, Klevis Balliu, ka ngritur sot shqetësime në Kuvend mbi kushtet e ish-presidentit Ilir Meta në paraburgim.
Gjatë fjalës së tij në seancën plenare, Balliu deklaroi se kishte vizituar ambientet e paraburgimit dhe ishte takuar me Metën. Ai tha se qelia ku qëndron ish-presidenti është shumë e vogël, rreth 2 me 2 metra, dhe ishte e vetmja dhomë ku nuk funksiononte sinjali i telefonit.
“Isha para se të vija këtu te paraburgimi, ku pashë edhe ish-presidentin Ilir Metën. I pyeta: a keni bibliotekë këtu? Po më thanë. Kur shkova ta shihja, ishte një sirtar me 15 libra, dhoma e boshatisur, pa karrige, pa tavolinë. 15 libra quhej biblioteka. Pastaj kushtet e qelisë së Metës, dhoma 2 me 2. Ishte rastësisht e vetmja dhomë që nuk i punonte as sinjali,” tha Balliu.
Ai shtoi se disa të paraburgosur protestues ndodhen në kushte të mjerueshme dhe kritikoi trajtimin e të rinjve, duke kujtuar se ka pasur raste të 18-vjeçarëve të burgosur për shkelje të vogla si posedimi i dy cigareve hashash.
Balliu theksoi se kushtet në disa paraburgime nuk përmbushin standardet minimale dhe kërkoi vëmendje më të madhe ndaj gjendjes së të paraburgosurve.
