Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ngritur akuza ndaj Ergys Agasit, duke pretenduar se ai ka pasur ndikim në institucione të rëndësishme shtetërore dhe lidhje të afërta me kryeministrin Edi Rama.

Në deklaratën e tij, Berisha e cilësoi Agasin si një person me rol koordinues mes kryeministrit dhe grupeve kriminale. Këto pretendime u paraqitën nga kreu i PD-së pa bërë publike prova konkrete që i mbështesin. Berisha pretendoi gjithashtu se Agasi, përmes lidhjeve të tij me drejtues të AKSHI-t, kishte mundësi të kontrollonte të dhëna të qytetarëve shqiptarë dhe të shtetasve të huaj që ndodheshin në territorin e Shqipërisë. Sipas tij, ndikimi i Agasit shtrihej edhe në çështje që lidhen me Ministrinë e Brendshme.

Kreu i PD-së ngriti pretendime edhe për ndikimin e Agasit në Shërbimin Informativ të Shtetit, duke iu referuar marrëdhënieve të tij me drejtuesen e institucionit. Berisha tha se këtë çështje e ka denoncuar edhe më parë publikisht. Në deklaratën e tij, Berisha u ndal gjithashtu te raportet mes Agasit dhe kryeministrit Rama. Ai pretendoi se Rama është angazhuar personalisht në projektimin dhe arredimin e vilës së Agasit në Durrës.

“Agasi në aparencë ishte në kërkim, por de facto ishte i lirë, lëvizte kudo, me shoqërues. Vijmë te momenti i arrestimit, pranë shtëpisë së tij, më pantallona të shkurtra dhe nallane dhe një polic në timon. Të gjitha këto flasin më shumë se çdo gjë tjetër për një arrestim të negociuar. A ju kujtohet ju kur u dorëzua famozi Balili, cilin pati shofer?! Ardi Veliun. Edhe ky Shpatarakun. Qytetarët dixhital më kanë informuar se sipas burimeve të tyre policore, ditën e dielë në një lokal të kontrolluar nga karteli në Elbasan, Taulant Balla ka zhvilluar një takim jo të shkurtër me Gys Agasin. Vetë qytetari dixhital thotë që është mirë që të hetohet, por burimi është mjaft serioz dhe i sigurt. A mori përsipër Taulant Balla negociatat ne emër të Ramës?! Nuk mund ta them, por qytetari dixhital thotë se është takuar me të. Agasi është pronar i makinave luksoze të blinduara. Shkoi dhe u gjend në një makinë koti, me shofer një polic. Janë disa elementë që po ti lidhësh bashkë flasin për një arrestim të negociuar”, tha Berisha.