Një shtetas shqiptar është ekstraduar nga Zvicra në Shqipëri, pasi akuzohet nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për përfshirje në një grup kriminal dhe për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasjen e dy vëllezërve.

Bëhet fjalë për J. K., 37 vjeç, lindur në Shkodër, i cili dyshohet se gjatë periudhës dhjetor 2020 – maj 2024, ka siguruar mjetet dhe kushtet për kryerjen e vrasjes së vëllezërve D. B. dhe V. B.

Procesi i ekstradimit u finalizua përmes koordinimit të veprimeve operacionale ndërmjet specialistëve të Drejtorisë së Interpol Tiranës dhe Interpol Bern, duke bërë të mundur kthimin e tij në vendin tonë për t’u përballur me drejtësinë.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me vendimin e datës 15 maj 2024, i ka caktuar J. K. masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale:

  • Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal
  • Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje
  • Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal

Hetimet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vazhdojnë për të zbardhur të gjitha detajet e përfshirjes së tij dhe të grupit kriminal në veprimtarinë e dyshuar kriminale.