Një 24-vjeçar ka tentuar të kryejë dy grabitje mbrëmjen e djeshme, por ka dështuar në të dyja rastet.
Policia njofton se ka arrestuar autorin, i cili ishte fshehur në tavanin e banesës së tij.
Sipas njoftimit, fillimisht rreth orës 19:00, i riu ka hyrë në një filial të Postës Shqiptare në lagjen “Vasil Shanto”, ku ka tentuar të marrë me forcë para. Gjatë largimit ai ka thyer xhamin e sportelit, por nuk ka arritur të realizojë grabitjen.
Vetëm pak minuta më vonë, rreth orës 19:15, ai është futur në një market në sheshin “Prek Cali”, duke tentuar sërish të grabisë një shumë parash. Pas një konflikti me punonjësin, ai është larguar pa mundur të marrë asgjë.
Pas veprimeve hetimore, policia ka bërë të mundur kapjen e tij në banesë, ku ishte fshehur në tavan.
