Një 26-vjeçar me origjinë shqiptare është arrestuar nga policia greke në Selanik, pas një denoncimi të bërë nga partnerja e tij 20-vjeçare, e cila e akuzon atë për përdhunim dhe përdorim droge.

Sipas dëshmisë së vajzës në polici, ngjarja ndodhi në orët e para të së dielës së kaluar, në një hotel ku ajo ndodhej me të dyshuarin. Ajo deklaroi se gjatë marrëdhënies intime, 26-vjeçari u bë i dhunshëm dhe vazhdoi kundër dëshirës së saj, duke tejkaluar çdo kufi të konsensusit.

Po ashtu, viktima ka pohuar se i dyshuari kishte konsumuar më herët kokainë, gjë që mund të ketë ndikuar në sjelljen e tij.

Pas hetimeve të nisura nga Departamenti i Hetimit të Krimeve në Oreokastro, policia arriti të lokalizojë të dyshuarin në zonën e Stacionit të Ri Hekurudhor të Selanikut, ku ai u ndalua dhe u vu në pranga.

Autoritetet kanë ngritur padi penale për përdhunim dhe shkelje të ligjit për lëndët narkotike, ndërsa i riu pritet të dalë përpara prokurorit në orët në vijim.