Një 30-vjeçar shqiptar është dënuar me 10 vite burg në Britaninë e Madhe, pasi u shpall fajtor për një seri vjedhjesh në banesa që, sipas autoriteteve, u shtrinë në disa qarqe të jugut të Anglisë.

Bëhet fjalë për Gledis Ukën, i cili u hetua për grabitje të kryera në Berkshire, Buckinghamshire, Bristol, Essex, Londër, Suffolk, Surrey dhe Kent.

Hetimi mori kthesë pasi ekspertët kriminalistikë zbuluan gjurmë gjaku në dy banesat e para të grabitura. Më pas, gjatë dy viteve në vijim, në disa raste të ngjashme të regjistruara në Edenbridge dhe Sevenoaks, u gjetën sërish prova biologjike, të cilat u krahasuan dhe rezultuan vendimtare për identifikimin e autorit.

Sipas mediave britanike, analizat mjeko-ligjore i lejuan hetuesit të lidhnin të gjitha episodet me njëri-tjetrin dhe të arrinin te Gledis Uka. Gjatë hetimeve u zbulua edhe modeli që ai ndiqte për të kryer grabitjet. Dyshohet se ai udhëtonte drejt Anglisë vetëm gjatë muajve të dimrit, realizonte vjedhjet dhe më pas largohej nga vendi për t’iu shmangur autoriteteve.

Më 30 janar 2026, ai u arrestua në Essex nga efektivët e policisë së Kentit. Një ditë më pas ndaj tij u ngritën 33 akuza penale për vjedhje të kryera në disa zona të jugut të Anglisë.

Në vijim të procesit gjyqësor, Uka pranoi fajësinë për 19 vepra penale, ndërsa prokuroria pranoi marrëveshjen. Dy akuza të tjera u morën në konsideratë gjatë dhënies së vendimit, ndërsa pjesa tjetër e dosjes mbeti në evidencë. Më 14 korrik, Gjykata e Kurorës në Maidstone e dënoi me 10 vjet heqje lirie.

Detektivja Celia King, e cila drejtoi hetimin, e cilësoi çështjen si një proces të gjatë dhe të ndërlikuar që zgjati më shumë se dy vjet. Sipas saj, për shkak të kohës së gjatë mes grabitjeve dhe faktit që ato ishin kryer në qarqe të ndryshme, u desh një punë e imtësishme për të provuar se pas tyre fshihej i njëjti autor.

Ajo shtoi se lokalizimi dhe arrestimi i Ukës ishte po aq i vështirë, pasi ai dyshohet se hynte në Britaninë e Madhe vetëm sezonalisht për të kryer grabitjet dhe më pas largohej.

Sipas detektives, 30-vjeçari nuk tregoi asnjë shenjë pendese për dëmet e shkaktuara. Ai hynte me forcë në banesa, shkaktonte dëme të konsiderueshme dhe merrte jo vetëm sende me vlerë ekonomike, por edhe objekte me rëndësi sentimentale për familjet. Në një prej rasteve, një prej pronarëve ndodhej brenda banesës në momentin kur grabitësi hyri me forcë, një situatë që, sipas hetuesve, ishte tejet traumatike për viktimën.

“Jemi të kënaqur që ai tashmë ndodhet pas hekurave dhe se një hetim i gjatë e i vështirë arriti të sjellë drejtësi për viktimat”, u shpreh Celia King.