Detaje të reja kanë dalë nga aksidenti tragjik i ndodhur në aksin Elbasan–Librazhd, ku humbi jetën një fëmijë 7-vjeçar.
Banorët e zonës kanë ngritur dyshime se automjeti që përplasi të miturin po lëvizte me shpejtësi të lartë në momentin e ngjarjes, ndonëse drejtuesi i mjetit ka deklaruar se udhëtonte me rreth 10 km/h.
Sipas dëshmive, menjëherë pas aksidentit, banorët kanë ndërhyrë për të nxjerrë fëmijën nga automjeti, ndërsa ambulanca, sipas tyre, ka mbërritur me vonesë.
“Shoferi thoshte që është në rrugë nacionale. ‘Kam të drejtën time. Kam qenë më 10 km në orë’”, është shprehur një banor i zonës, duke shtuar se në atë segment kanë ndodhur edhe aksidente të tjera.
Ndërsa një tjetër banore deklaroi: “E kanë parë që ishte me shpejtësi maksimale. Erdhën burrat nga lokali, ngritën makinën që nxorën fëmijën. Ambulanca erdhi me vonesë dhe fëmijën e çuan në spital me makina të rastit.”
Policia vijon hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.
