Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj akuzave dhe spekulimeve mbi Sekretarin e Përgjithshëm të Kryeministrisë, Engjëll Agaçi, duke i quajtur të pavërteta dhe një sulm të ulët ndaj tij dhe familjes së tij.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama ka denoncuar “Bufin e Kënetës” dhe kritikët e tij, duke i akuzuar se e shpallën Agaçin në arrati, ndërkohë që ai ndodhej në gjendje kritike për jetën.
“Ky është Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Engjëll Agaçi, të cilin Bufi i Kënetës e shpalli arratiak në kërkim nga drejtësia dhe e gjithë aradheja kënetore kanal më kanal e portal më portal ia telendisi familjen e të afërmit, duke batërdisur publikun me kua-kua-kuara të ububushme, teksa tjetri ishte në fije të perit në reanimacion me frymëmarrje të drejtuar, pas një operacioni në zemër që pasoi nga një ndalim i funksionit të mushkërive”, shkruan Rama krahas një videoje ku shfaqet Agaçi.