Motra e 36-vjeçares Marjola Nakoleci, e vrarë me thikë nga bashkëshorti i saj në Volos të Greqisë, ka folur për tragjedinë e rëndë që goditi familjen e tyre.
Në një deklaratë për Euronews Albania, ajo tha se Pandeli Nakoleci, 40 vjeç, nuk vuante nga probleme mendore, por ushtronte dhunë psikologjike të vazhdueshme ndaj bashkëshortes dhe madje edhe fëmijëve të tij.
“Ai ishte një njeri i pabesë që ia mori jetën motrës sime në lule të rinisë, duke lënë pas fëmijët jetimë. Nuk ishte i sëmurë nga mendja, por bënte çfarë i pëlqente. Fëmijët kishin frikë të rrinin me të në shtëpi për shkak të sjelljes së tij. Motra ime madje e dërgoi edhe te psikiatri me ndihmën e policisë, por mjekët thanë se ishte mirë. Pas dy ditësh e lanë të lirë. Ai sillej për pak kohë normal, e më pas shpërthente sërish në sherre, duke i dhunuar edhe fëmijët”, u shpreh ajo, duke kërkuar kapjen dhe dënimin e rëndë të autorit.
Vrasja në Volos
Ngjarja ndodhi në banesën e çiftit në rrugën Konstanta. Pas një konflikti në apartament, ata zbritën në hyrjen e pallatit, ku burri goditi disa herë me thikë gruan e tij, në qafë dhe shpinë. Krimi ndodhi në praninë e njërit prej katër fëmijëve, ndërsa të tjerët ishin brenda në shtëpi. Vajza 16-vjeçare dëshmoi para policisë se pa babain duke therur mamanë.
Sipas mediave greke, viktima humbi jetën nga gjakderdhja, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që plaga të jetë shkaktuar edhe nga përplasja me një dritare xhami. Pas ngjarjes, autori u largua në këmbë dhe është ende në arrati, ndërkohë që fëmijët u morën në mbrojtje nga policia.
E kaluara e autorit
Pandeli Nakoleci rezulton të ketë precedentë penalë për pjesëmarrje në organizata kriminale dhe trafik droge. Në qershor 2025, ai ishte dërguar me urdhër të prokurorit në një klinikë për ekzaminim psikiatrik, ku qëndroi i shtruar për pak ditë, pasi më herët kishte tentuar vetëvrasjen.
