Ish-efektivi i Policisë së Shtetit, Uljan Shpataraku, është transferuar në burgun e Peqinit, pasi Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”.

Shpataraku u arrestua më 26 gusht në zonën e Plepave në Durrës, teksa ndodhej në të njëjtin automjet me biznesmenin Ergys Agasi, i cili ishte shpallur në kërkim nga SPAK prej rreth tetë muajsh.

Në momentin e ndërhyrjes së policisë, Shpataraku drejtonte automjetin, ndërsa Agasi ishte ulur në sediljen e pasagjerit. Automjeti ishte pikasur fillimisht në Elbasan dhe më pas ishte ndjekur nga forcat e Policisë dhe strukturat e posaçme për rreth 40 kilometra, në drejtim të Peqinit, Rrogozhinës dhe Durrësit.

Ndërhyrja përfundoi në zonën e Plepave, ku automjeti u ndalua. Gjatë kontrollit, sipas burimeve të raportuara nga BalkanWeb, në makinë u gjetën rreth 4 mijë euro.

SPAK ka bërë me dije se Shpataraku u arrestua në flagrancë për veprën penale të “përkrahjes së autorit të krimit”. Sipas organit të akuzës, ish-efektivi po shoqëronte Agasin, i cili në atë kohë ishte person në kërkim nga drejtësia.

Më 29 gusht, GJKKO vendosi që Shpataraku të qëndrojë në qeli, ndërsa ndaj tij vijon procedimi penal për akuzën e përkrahjes së autorit të krimit.

Edhe Ergys Agasi është lënë në masën “arrest me burg” nga GJKKO. Ndaj biznesmenit SPAK ka ngritur disa akuza, përfshirë konkurrencën e paligjshme përmes dhunës, heqjen e paligjshme të lirisë, shkeljen e barazisë në tendera, grupin e strukturuar kriminal, pastrimin e parave dhe korrupsionin aktiv.