Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në 35-vjetorin e PS në Fier ka ndarë me socialistët historinë se si ai u bë kryetar partie. Ai tha se ngjarja u cilësua si “skandal”, pasi vendimi erdhi pas fitores së mandatit të dytë në krye të bashkisë Tiranë dhe se të gjithë e shikonin si të “çmendur”.

“Dilemën e zgjidha duke parë Sokratin. Kur unë kandidova për herë të parë për kryetar i PS, ishte një skandal i madh, sepse PS nuk e kishte zakonin që lejonte njerëz që të thoshin dua të bëhem kryetar i PS. Ishte një skandal sepse unë isha kryetar i Bashkisë Tiranë, ishte menjëherë pas fitores së mandatit të dytë, pas vitit 2003 dhe socialistët më shikonin si një njeri të çmendur, se kështu më kishin parë me kohë, por si një njeri të pafytyrë dhe tradhtar sepse po i dilte përballë liderit të pakontestueshëm të partisë dhe po i dilte përballë duke thyer çdo rregull dhe duke u bërë anëtar partie e duke kandiduar për kongresin që bëhej pas një muaji.

Sistemi i PS ishte me ato komitetet drejtuese të rretheve, nuk hynte e dilte kush të donte. Aty s’kishte as kamera, as media. Mbahej raporti dhe votoheshin për delegatët. Vij unë të futem, ishte komiteti drejtues në rrethin e Mallakastrës, edhe shkoj të futem që të shpall platformën. Te dera jashtë doli Sokrati.

‘Urdhëroni’, tha, komplet një armik i brendshëm. Më tha: ‘Ç’lidhje ke ti për komitetin?’. I thashë: ‘Jam kandidat për kryetar i PS’. Më tha: ‘Jo, s’ka kandidatë. Kandidatët dalin në kongres’. I thashë: ‘Të futem, të flas fjalët e mia’. Më tha: ‘Do futem te përfaqësia dhe do të jap përgjigjen’. Vjen pastaj me letër serioze, me vulë, me letër dhe thotë: ‘Nuk ju lejohet hyrja në komitet’ dhe nuk u futa. Pastaj e çava në disa komitete të tjera. Historia vazhdoi dhe unë u bëra kryetar i PS.

Prit, prit se s’kam mbaruar. Unë u bëra kryetar i PS në Tiranë, grupi i Fierit, megjithëse më votuan, shoku Sokrat erdhi pastaj e më tha: ‘Votën ta dhamë, tani e more, do të të shikojmë’. Mirëpo aty ishte i gjithë grupi i Fierit. Aty ishte edhe Rajmonda Stefa. Grua e mirë, e dashur, komunikuese. Rajmonda ma ka marrë jetën që unë të bindja PS e Fierit se isha ai i duhuri. Vetëm pas disa kohësh, kur të gjithë të tjerët ishin dorëzuar, më prisnin me përqafime. Vij këtu në Fier, thoshin: “Hë, erdhe ti”. Kur fitova edhe zemrën e Rajmondës, aty u bëra kryetar. Prandaj, kush ka mbështetjen, simpatinë, energjinë dhe mbi të gjitha kush ka PS-në e Fierit si organizatë, jo vetëm si frymë dhe si familje, atëherë mund të thotë se ka me vete kryeqytetin e PS”, u shpreh Rama.