Banorët e zonës së përfshirë nga zjarri masiv në Himarë kanë rrëfyer momentet e frikshme të përjetuara mbrëmjen e djeshme, teksa flakët u përhapën me shpejtësi.
Një prej banoreve tregon se situata u përkeqësua brenda pak minutash, ndërsa ndërhyrja e policisë bëri të mundur nxjerrjen e tyre nga zona.
“Nuk e kuptuam sa shpejt erdhi zjarri, për 5-10 minuta. Më pas erdhi policia dhe na nxorën. U dogj shtëpia e kushëririt të burrit. Janë banesa të banuara, por banorët kishin dalë. Erdhi policia dhe na nxorën. Janë dy shtëpi në këtë zonë”, rrëfeu ajo.
Një tjetër banor, i përlotur, e përshkroi situatën e mbrëmshme duke thënë vetëm: “Ishte tmerr”.
Ndërkohë, mëngjesin e sotëm ka nisur ndërhyrja edhe nga ajri, me helikopterë që po hedhin ujë mbi vatrat aktive të zjarrit.
Në terren vijojnë të jenë të angazhuara Forcat e Armatosura dhe dhjetëra efektivë zjarrfikës, në përpjekje për të izoluar flakët dhe për të shmangur rrezikun për zonat e banuara.


