I ka vënë flakën shtëpisë brenda të cilës ishte e gjithë familja e tij dhe tani i duhet të përgjigjet para ligjit për zjarrvënie të qëllimshme dhe tentativë vrasjeje.
Një shqiptar prej 10 vjetësh rezident në Fontaniva, Itali, nuk ka mundur më të durojë kritikat e të shoqes për 35 mijë eurot që kishte humbur në bixhoz, dhe pas një zënke me të e lyen shtëpinë me benzinë dhe i vë flakën ndërkohë që të gjithë familjarët e tij ndodheshin brenda saj.
Ngjarja ka ndodhur ditën e shtunë, në orët e natës dhe ka për protagonist shqiptarin Shyqyri Murati, 47 vjeç, shkruan italiania ‘Il Mattino di Padova’. Historia e Shyqyri Murati është historia e zakonshme e çdo emigranti shqiptar që kishte kapërcyer detin për një jetë më të mirë, ndërsa jetonte me bashkëshorten, të atin, djalin 20 vjeçar, nusen e këtij të fundit dhe fëmijën e tyre të sapolindur. Familja shqiptare jetonte prej 10 vjetësh në këtë zonë dhe njiheshin perj fqinjëve si njerëz të qetë e punëtorë.
Por natën e së shtunës, duket se konflikti mes familjarëve është thelluar së teprmi dhe 47-vjeçari nuk e ka menduar gjatë, por ka hedhur në koshin e plehrave mundin e 10 vjetëve, duke qenë se shtëpia ishte pronë e tyre, të cilën e kishin blerë me shumë sakrifica.
Djali i Muratit mësohet se ka dhënë i pari alarmin për zjarrin që po i përpinte brenda shtëpisë dhe ka kërkuar menjëherë ndihmën e fqinjëve të cilët kanë lajmëruar edhe zjarrfikësit, që kanë arritur t’i nxjerrin shëndoshë e mirë nga shtëpia.
Siç raporton media italiane, shtëpia është shkatërruar plotësisht nga flakët. Në fillim është menduar se bëhej fjalë për një ngjarje aksidentale, por pasi polica ka zbardhur detajet, arrestoi Muratin për zjarrvënie të qëllimshme dhe tentativë vrasjeje.
22 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)