Operacioni


Saimir Serjani njihej si furnitor i drogave të forta. Miku i tij u vra në masakrën e Elbasanit


drogeNjë 36-vjeçar shqiptar është arrestuar nga policia italiane në Torino. Saimir Serjani është kapur duke lëvizur me makinën e tij “Peugeot 3007”, ndërsa gjatë kontrollit i janë gjetur 600 gramë kokainë.


Pas kontrollit në banesën e tij, policia ka gjetur 108 mijë euro, një makinë për numërim të kartëmonedhave, karta telefoni si dhe materiale të tjera. Policia gjithashtu ka sekuestruar edhe dy automjete të tjera të shqiptarit, një “Audi A5 3.0 TDI” dhe një “Smart Fortwo”.

Nga hetimet e policisë rezulton se 36-vjeçari Saimir Serjani është një nga shpërndarësit më të mëdhenj të kokainës në zonë. Saimir Serjani sipas policisë italiane rezultonte të ishte furnizuesi i grupit të kokainës të kapur me 07 qershor të vitit 2013, mes të cilëve ishte dhe Eno Bedalli i vrarë në masakrën e 3 shkurtit, ku u qëllua në lokalin e fisit Çapja në Elbasan.

Nga 31 të arrestuarit, 14 prej tyre janë shqiptarë dhe rreth 2.5 kg kokainë është sekuestruar. Droga vinte nga Holanda dhe hynte në Itali nëpërmjet kufirit të veriut. Më pas lënda narkotike, e llojit kokainë, tregtohej në Asti, Udine, Brescia, Savona, Xhenova, Piza, Parma dhe Milano. Mësohet se tregu i kokainës kishte si qendër Holandën, por që shpërndahej nëpërmjet ndërmjetësuesve shqiptarë, edhe në Gjermani, Belgjikë dhe në Britaninë e Madhe.

Që në vitin 2013, policia italiane e kishte identifikuar Serjanin, por nuk ishte arritur të kryhej arrestimi i tij. Mësohet se rrjeti kriminal ka qenë shumë i organizuar dhe ishte i përbërë nga të huaj dhe shqiptarë, ku këta të fundit ishin në dominancë. Mësohet se banda ndërkombëtare e trafikimit të kokainës, operonte prej vitesh, duke konsoliduar mekanizmin e funksionimit, për t’iu shmangur arrestimeve të autoriteteve vendase.