Një superoperacion i policisë italiane ka vënë në pranga 33 shqiptarë të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge në kuadër të një organizate të madhe kriminale. Operacioni i koduar ‘Daku’ dhe i ndërmarrë nga polica e Trenit në Itali, ka shkatërruar bandën shqiptare që trafikonte drogë nga Shqipëria drejt vendit fqinj dhe gjatë operacionit të policisë italiane në bashkëpunim edhe me shërbimet e antidrogës u bë i mundur edhe sekuestrimi i një sasie të konsiderueshme marijuane prej 500 kg.


Në sajë të bashkëpunimit edhe me policinë shqiptare, policia italiane zbuloi se droga vinte nga Shqipëria, konkretisht nga Lazarati me gomone dhe më pas përmes mënyrave të ndryshme bëhej shpërndarja e saj në të gjithë Italinë në qytete të ndryshme si Roma, Firenze, Napoli, Milano, por edhe jashtë Italisë si në Angli apo Holandë.


Hetimet për operacionin e koduar “Daku” kanë nisur në 6 maj të vitit 2011, ku pas bastisjes së disa lokaleve është vënë në pranga një sipërmarrës i vogël i cili vuri në dijeni policinë italiane në lidhje skemën sipas të cilit funksiononte ky trafik.

Pas këtij operacioni, nisi hetimi për zbulimin e një rrjeti të mundshëm ndërkombëtar të kokainës me anë të metodave të sofistikuar të përdoruar nga ana e policisë së vendit fqinj, që çoi një vit më vonë në zbulimin dhe shkatërrimin e rrjetit ndërkombëtar të trafikimit të drogës.

7 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)