Italia mbetet investitori më i rëndësishëm dhe më i qëndrueshëm në Shqipëri, duke forcuar pozicionin e saj si partner ekonomik strategjik në dekadën e fundit. Të dhënat më të fundit për fluksin e investimeve të huaja direkte tregojnë se kapitali italian ka vijuar me ritme të larta edhe gjatë vitit 2024, ndërsa shifrat e gjysmës së parë të 2025-ës konfirmojnë një prirje pozitive, në përputhje me ciklin normal vjetor të investimeve.

Në vitin 2023, investimet italiane arritën një nivel rekord prej 188.2 milionë eurosh, ndërsa në vitin 2024 u ngjitën në 196.3 milionë euro, duke shënuar kulmin e dekadës. Gjatë gjysmës së parë të vitit 2025, janë regjistruar 89.1 milionë euro.

Prania e Italisë në ekonominë shqiptare është e gjerë dhe e diversifikuar, me fokus të veçantë në industrinë fason, ndërtim, energji, turizëm dhe shërbime. Që prej vitit 2018-tw, kur investimet italiane nisën të rriteshin ndjeshëm, nga 52.8 milionë euro në mbi 129 milionë euro në vitin 2020 dhe 142.8 milionë në 2021, kapitali nga vendi fqinj ka qenë një shtyllë kryesore e zhvillimit industrial dhe punësimit në vend.

Në pesë vitet e fundit, Italia ka ruajtur me konsekuencë pozicionin e njërit prej dy investitorëve më të mëdhenj në Shqipëri, duke u renditur vazhdimisht në vendin e dytë për nga vlera e kapitalit të huaj të sjellë në vend. Flukset italiane kanë qenë dukshëm më të larta se ato të Gjermanisë, Francës, Holandës, Zvicrës apo Mbretërisë së Bashkuar, duke reflektuar një lidhje të qëndrueshme ekonomike dhe një angazhim afatgjatë të sipërmarrjeve italiane në tregun shqiptar.

Nëse shihen në dinamikë dhjetëvjeçare, investimet italiane në Shqipëri i kalojnë një miliard euro, duke zënë rreth një të tretën e totalit të kapitalit të huaj që ka hyrë në vend gjatë periudhës 2014-2024. Ky volum e bën Italinë jo vetëm një partner të rëndësishëm ekonomik, por edhe një faktor kyç në mbështetjen e strukturës së prodhimit vendas, rritjes së eksporteve dhe krijimit të vendeve të punës.

Pavarësisht ndryshimeve të lehta vjetore, prurjet nga Italia shfaqin një qëndrueshmëri që tregon besim të lartë në tregun shqiptar dhe në potencialin e tij ekonomik. Ky raport i fortë, i ndërtuar mbi afërsi gjeografike, lidhje historike dhe bashkëpunim të gjatë industrial, mbetet një nga gurët themelorë të ekonomisë shqiptare moderne. (Xhorxhina Deda)