Bankat e ngrirjes zgjedhin Shqipërinë pasi, sipas tyre, funksionon me ligjet e veta
Shpresa Mezini
Ekspertët e shëndetësisë në Itali e kanë konsideruar metodë të papërshtatshme përdorimin e qelizave staminale, duke e cilësuar madje edhe të rrezikshme për jetën e pacientit. Në një situatë si kjo, kur qeveria italiane është kundër aplikimit të një metode të tillë, bankat që ruajnë qelizat staminale në këtë shtet do të zhvendosen jashtë kufijve të saj, për të vijuar terapitë e tyre. Destinacioni i zgjedhur prej autoriteteve që kërkonin fillimin e testimit, është Shqipëria. Kjo, pasi e konsiderojnë Shqipërinë si vend që dëshiron ta pranojë këtë terapi sipas normave të veta ligjore. Vendimi për të mos eksperimentuar një metodë të tillë erdhi nga Komisioni i Shëndetësisë, i krijuar 6 muaj më parë prej ministres së Shëndetësisë italiane, Beatriçe Lorenzin, e cila hodhi poshtë metodologjinë e përgatitjes së qelizave staminale nga “Stamina Foundation”. Sipas këtij komisioni, metoda nuk është “e përshtatshme”. Qelizat e prodhuara nuk respektojnë kërkesat e duhura për t’u cilësuar “agjentë terapeutikë”. Edhe protokollet e propozuara nuk plotësojnë kërkesat themelore për një studim klinik. Ndaj, “nuk ekzistojnë kushtet për të filluar testimin me të ashtuquajturin ‘metoda Stamina’, me referim të veçantë ndaj sigurisë së pacientit”. Ministrja e Shëndetësisë italiane, menjëherë ka bërë të qartë se përfundimi ishte i paapelueshëm. “Po pres të marr relacionin teknik, por mund të them, pasi kam lexuar vetëm përfundimet, që vendimi i komisionit të ekspertëve nuk ka mundësi apelimi”, deklaroi ajo për “RaiNews24”. Vendimi do të thotë se kjo metodë “nuk qëndron, nuk përmbush kushtet e efikasitetit, as për të filluar një eksperimentim”. Ndaj, “nëse nuk do të shfaqen elemente të tjera, eksperimentimi nuk do të kryhet”, ishin fjalët e ministres italiane. “Nga pikëpamja sanitare dhe shkencore, për mua kjo çështje është e mbyllur.”
Zëvendëspresidenti i “Stamina Foundation”, Mario Andolina, ka treguar se tashmë kjo kompani do të kërkonte të zhvendosej jashtë Italisë për të vazhduar terapitë e saj. “Mund të them se terapia Vanoni është më e mira që ekziston në botë”, janë fjalët e tij nëpërmjet një deklarate të shpërndarë në “Facebook” nga shoqata “Movimento Vite sospese”. “E vetmja mënyrë për ta ndjekur është në një qendër të huaj. Unë kam shkuar me shpenzimet e mia në vendin europian që duket se dëshiron ta pranojë këtë terapi në normat e veta ligjore. Kam konstatuar se shërbimi sanitar në këtë vend është i përshtatshëm me këtë projekt. Pasi them këtë, kam kompletuar detyrën time dhe nuk jam më pjesë e projektit”, ishte mesazhi i tij, ndërsa mediat italiane, mes të cilave edhe agjencia ANSA, pretendojnë se ai po fliste për Shqipërinë.
Marrja, ruajtja dhe përdorimi i qelizave staminale është konsideruar ndryshe si revolucionarizim i mjekësisë apo si hapi i parë drejt epokës së “mjekimit të personalizuar”, në shtete të zhvilluara të botës si: Amerikë, Francë, Japoni, Britani e Madhe, vitet e fundit edhe në Shqipëri. “Qelizat staminale të marra prej kordonit kërthizor përdoren për trajtimin me sukses të më tepër se 80 lloje sëmundjesh, ndërsa ato janë efektive edhe për pjesëtarët e tjerë të familjes, të cilët kanë përputhshmëri me personin nga janë marrë këto qeliza”, bëjnë me dije administratorët e një prej bankave të ruajtjes së qelizave staminale në vendin tonë. Është kjo arsyeja pse vitet e fundit, kjo praktikë është shumë e njohur për ne, fakt që vërtetohet edhe nga shifrat që raportojnë bankat, 15-20 prindër që kërkojnë për çdo muaj të ruajnë qelizat staminale të fëmijëve të tyre. Administratorët e bankave shpjegojnë se marrja e qelizave staminale në vendin tonë është lehtësisht e mundur, madje mund ta ofrojë çdo klinikë apo maternitet, qoftë publik apo privat. Qelizat staminale merren nga kordoni kërthizor në momentin e lindjes së bebes, bëhet transportimi i tyre në bankën e ruajtjes së tyre. Sipas të dhënave që reklamohen në media apo edhe fletëpalosje, qelizat staminale ruhen për 20-25 vjet, ndërsa kostoja në Shqipëri është 1900-2500 euro. Zyrtarisht mësohet se aktualisht vendi ynë bashkëpunon me dy banka që ngrijnë dhe ruajnë qelizat staminale, një në Greqi dhe tjetra në Belgjikë.
Zbulimet e deritanishme shkencore kanë treguar se qelizat staminale të marra në gjakun e kordonit kërthizor, mund të zhvillohen më tej në qeliza të mëlçisë, veshkës, qeliza nervore, të muskulit të zemrës e në qeliza pankreatike prodhuese të insulinës. Disa sëmundje, të cilat trajtohen në mënyrë standarde me anë të qelizave staminale janë: leucemia dhe limfoma, mieloma multiple dhe çrregullime të tjera të qelizave plazmore (ndryshe rruazat e bardha të gjakut), anemia aplastike e formës së rëndë dhe gjendje të tjera të dështimit në funksionet e palcës kockore, çrregullime të tjera të trashëguara të metabolizmit, si dhe forma të tjera malinje.