Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë sot në Forumin e Paqes në Paris, një nismë e presidentit francez Emmanuel Macron, ku mblidhen personalitete nga e gjithë bota për të diskutuar mbi bashkëpunimin dhe përpjekjet për paqe dhe siguri globale. Në fjalën e tij të hapjes, Rama theksoi rëndësinë e integrimit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, duke e cilësuar Bashkimin Europian si një nga projektet më të mëdha politike që njerëzimi ka njohur ndonjëherë.
Kryeministri shqiptar ka përmendur gjithashtu rolin e liderëve, duke e vlerësuar si “të mahnitshme” kryeministren italiane, e cila, sipas tij, është një grua me forcë dhe ndikim, duke shtuar se pavarësisht se nuk është e gjatë, kur flet, ajo ka një prani më të fuqishme se shumë udhëheqës të tjerë. Ai gjithashtu bëri një krahasim me italianët, duke thënë se ata janë “shqiptarë të veshur me Versace”, duke nënvizuar lidhjet e forta kulturore mes dy vendeve.
“Italianët janë shqiptarë të veshur me Versace. Keni kryeministre një grua të shkëlqyer dhe të mahnitshme. Ajo nuk është e gjatë, por më besoni që kur merr fjalën është më e gjatë se unë. BE është projekti më i madh politik që njerëzimi ka përjetuar ndonjëherë”, tha Rama.
