Një 38-vjeçar është arrestuar nga Policia e Tiranës pasi u kap duke transportuar një sasi kokaine në automjetin e tij.

Sipas policisë, i arrestuari me inicialet A. K., banues në Tiranë, u ndalua në zonën e Mëzezit pas informacioneve të siguruara për aktivitet të dyshuar në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike.

Gjatë kontrollit të automjetit tip “Audi” që drejtohej nga 38-vjeçari, efektivët e policisë gjetën një qese me rreth 100 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë.

Nga hetimet paraprake dyshohet se sasia e drogës ishte përgatitur për shitje. Lënda narkotike dhe automjeti ku ajo u gjet janë sekuestruar si prova materiale.

Aksioni u zhvillua në kuadër të operacionit policor “Destinacioni”, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Policinë e Tiranës, me qëllim goditjen e rasteve të shpërndarjes së drogës në kryeqytet.

Materialet procedurale i janë dorëzuar Prokurorisë së Tiranës për vijimin e hetimeve.