Policia ka arrestuar në fshatin Bërxullë një 43-vjeçar që mbante pa leje në banesë pistoletë me municion. “Blutë” kanë sekuestruar armën e zjarrit dhe krehrin me 7 fishekë.
“Si rezultat i punës parandaluese, të bazuar në kontrolle, hetime dhe informacione operative, me objektiv goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, si dhe identifikimin dhe ndalimin e shtetasve të cilët dyshohen për përfshirje në ngjarje kriminale, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda finalizuan operacionin e koduar “Risku”, gjatë të cilit, në zbatim të vendimit të Gjykatës, u krye kontroll në banesën e shtetasit J. K., 43 vjeç, në fshatin Bërxullë.
Në banesë u gjet 1 armë zjarri pistoletë, me krehër dhe 7 fishekë, që posedohej pa leje, nga 43-vjeçari, i cili në vijim të veprimeve procedurale, u arrestua në flagrancë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Kontrollet dhe verifikimet vijojnë”, thuhet në njoftim.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
