Prokuroria e Fierit ka zbardhur detaje tronditëse nga skema e mashtrimit me “piramidat online” që u zhvillua në Divjakë, ku një ditë më parë u arrestuan 6 persona, ndërsa organizatorët kryesorë, Ereledio Shebeku dhe bashkëshortja e tij Adiola Shebeku, janë shpallur në kërkim.
Sipas dosjes hetimore, hetimi u zhvillua përmes agjentëve të infiltruar, të cilët hynë në kontakt me kamerierin e lokalit “Bonita”, Emanuel Taullau, i cili iu shpjegoi mënyrën se si funksiononte skema. Agjentët mësuan se për t’u bërë pjesë e platformës mashtruese, duheshin depozituar të paktën 1000 dollarë.
Agjentëve më pas iu prezantua edhe një tjetër kamerier, Flavio Mukaj, i cili kishte rol kyç në rekrutimin e investitorëve të rinj dhe i shtonte ata në një grup në Telegram, ku bëhej koordinimi dhe reklamohej platforma me emrin “XUEX”, që maskohej si platformë për tregtimin e kriptomonedhave.
Nëpërmjet kësaj platforme, organizatori Ereledio Shebeku komunikonte vazhdimisht me një person të identifikuar si “Leo Smith”, që dyshohet të jetë shtetas britanik. Ky i fundit u kërkonte investitorëve që të depozitonin vazhdimisht para, me premtimin e fitimeve të mëdha.
Hetimet tregojnë se rreth 580 qytetarë nga Divjaka dhe zonat përreth ishin mashtruar, duke investuar shuma që varionin nga 1,000 deri në 5,000 dollarë secili. Një prej të arrestuarave, Brunilda Stefan Ndini, dyshohet se ka futur në skemë edhe familjarë dhe punonjës të Bashkisë së Divjakës, duke shtuar numrin e viktimave dhe shumat e përfshira në mashtrim.
Pjesë e skemës dyshohet të jetë edhe lokali i shtetasit Arbër Çela, ku platforma XUEX promovohej hapur dhe qytetarët ftoheshin të investonin. Gjatë kontrolleve në këtë ambient, policia sekuestroi shuma të konsiderueshme parash. Arbër Çela ka deklaruar se për platformën kishte dëgjuar nga “Joana dhe profesor Smith”.
Hetimet vazhdojnë, ndërsa autoritetet janë në ndjekje të organizatorëve në arrati dhe po punojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë mashtrim masiv.