Prokuroria e Tiranës ka vendosur sekuestro preventive mbi disa llogari bankare që i përkasin familjarëve të Sajmir Alimehmetit, i njohur ndryshe si “Dentisti”, i dënuar në SHBA për mbështetje ndaj organizatës terroriste ISIS.

Vendimi vjen pas verifikimeve financiare, ku organi i akuzës ka konstatuar se disa prej të ardhurave nuk justifikoheshin me burime të ligjshme. Sipas njoftimit zyrtar, janë bllokuar llogari në lekë, euro dhe dollarë, si dhe depozita bankare me vlera të konsiderueshme.

Sajmir Alimehmeti u dënua në vitin 2018 nga një gjykatë federale në Manhattan me 22 vite burg, pasi pranoi akuzat për mbështetje materiale ndaj ISIS-it dhe për mashtrim me pasaportën amerikane. Ai kishte qenë nën vëzhgim nga autoritetet ndërkombëtare që prej vitit 2014, pas dy refuzimeve për të hyrë në Britani, ndërsa dyshohej se synonte të udhëtonte drejt Sirisë.

Sipas FBI-së, Alimehmeti kishte blerë pajisje ushtarake dhe kishte shfaqur simpatira të hapura ndaj ISIS-it, ndërsa në aplikimin për pasaportë kishte fshehur informacione thelbësore për të shmangur kontrollin e autoriteteve.

Ndërkohë, hetimet në Shqipëri mbi pasuritë e familjarëve të tij vijojnë, në kuadër të ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.