Kreu i lëvizjes studentore në Shkup, Mevlan Ademi, në një lidhje direkte me Top Story, u shpreh se takimi i sotëm me kongresmenët amerikanë ishte rezultat i punës së vazhdueshme të lëvizjes studentore për të ngritur shqetësimet lidhur me moszbatimin e Marrëveshja e Ohrit.

Ai tha se gjatë takimit nuk u dhanë hapa konkretë për veprim, por theksoi se kongresmenët i dëgjuan me vëmendje kërkesat e studentëve.

Sipas Ademit, vetë fakti që zyrtarët amerikanë pranuan t’i takojnë ka rëndësi të madhe dhe tregon se mesazhi i tyre është dëgjuar.

Ademi u shpreh se studentët nuk kërkojnë privilegje, por vetëm respektimin e të drejtave të tyre. Ai shtoi gjithashtu se lëvizja ka mbajtur vazhdimisht kontakte me diplomatët amerikanë, duke i informuar për kërkesat dhe aktivitetet e saj.

“Ajo që ndodhi sot është ajo për të cilën kemi punuar. Ajo që iu treguam kongresmenëve është se Marrëveshja e Ohrit nuk po zbatohet. Diçka konkrete nuk na u tha, pra se çfarë duhet të bëjmë, por na thanë që po na dëgjojnë me shumë vëmendje. Vetëm fakti që ata vijnë të na takojnë do të thotë shumë për ne. Besoj e kuptuan që ne nuk kërkojmë privilegje, por thjesht të drejtën tonë.

Kemi pasur gjatë gjithë kohës kontakt me diplomatët amerikanë dhe i kemi informuar herë pas here për kërkesat dhe lëvizjet tona”, tha ai.

Protestën e bërë pak ditë më parë në Tiranë në mbështetje të tyre, ai e komentoi kështu: Ajo që ndodhi në Tiranë ishte thjesht mesazhi ‘ne jemi bashkë’. Ata dëshmuan se studentët në Maqedoninë e Veriut nuk janë vetëm. Pashë qytetarizëm, studentë, motra e vëllezër që na bashkohen dhe kuptojnë hallin tonë.