Së fundmi debati më i nxehtë në vendin tonë është, të ndërtohet apo jo në Zvërnec, me një pjesë të qytetarëve që protejstojnë prej disa ditësh tashmë në kundërshtim me resortin luksoz, e me kryeministrin Edi Rama nga ana tjetër, që thotë se projekti do të bëhet se është për të mirën e Shqipërisë.

Protesta e shqiptarëve kundër shkatërrimit të mjedisit sipas tyre, nuk ndalet vetëm në dyert e kryeministrisë. Por ata kanë zgjedhur edhe t`i komentojnë drejtpërdrejt vajzës së Presidentit amerikan Donald Trump, Ivanka.

Kjo e fundit postoi një foto me bashkëshortin e saj Jared Kushner në instagram për një aktivitet të tyre, por kaq mjaftoi që të vërshonte breshëria e komenteve nga shqiptarë të ndryshëm.

“Hiqi duart nga Vjosa”, “nuk ke punën në vendin tonë”, “Shqipëria nuk blihet” janë disa prej komenteve që bien në sy.

Prej vitesh, projekti në fjalë – një kompleks luksoz hotelesh me vlerë 1.4 miliardë dollarë në një ishull pranë bregdetit dhe një tjetër zhvillim turistik në një gadishull që përfshin ligatina me rëndësi të veçantë mjedisore – kanë ngjallur debate dhe shqetësime lidhur me mbrojtjen e natyrës dhe mungesën e transparencës.