Konflikti
Për herë të parë që nga viti 1973, ushtria izraelite hap zjarr
Forcat ushtarake të Izraelit hapën zjarr me artileri në mënyrë paralajmëruese kundër Sirisë, pasi një predhë mortaje ra në territorin e saj në lartësitë Golan. Kjo qe hera e parë që Izraeli hapi zjarr kundër Sirisë që nga lufta e vitit 1973. Incidenti i fundit erdhi disa ditë pasi trupat izraelite u vendosën në gatishmëri të lartë, pasi një makinë u godit nga zjarri i ardhur nga Siria në lartësitë Golan, të cilat janë të pushtuara nga Izraeli. Të dy vendet janë formalisht në luftë dhe forcat e OKB-së patrullojnë zonën e neutralitetit.
Izraeli dorëzoi një ankesë në trupat e OKB-së në zonë, duke thënë se zjarri me prejardhje nga Siria nuk do të tolerohet dhe se ndaj incidenteve të tilla do të përgjigjen ashpër.
Të shtunën, ushtria izraelite njoftoi se një predhë mortaje ra në territorin e saj, por nuk raportoi për dëme apo viktima. Në përgjigje, ushtarët izraelitë hapën zjarr paralajmërues. Javën e kaluar, tre tankse siriane raportohet se hynë në zonën e demilitarizuar në ndjekje të ushtarëve rebelë. Shefi i shtabit të ushtrisë izraelite, Benny Gantz, urdhëroi ushtarët e tij të rrisin gatishmërinë në mënyrë që të shmanget zgjerimi i luftës civile të Sirisë në lartësitë Golan.
Ndërkohë, grupimet opozitare në Siri u takuan në Katar dhe ranë dakord të formojnë një koalicion të ri për t’iu kundërvënë Presidentit Bashar al-Assad. Opozita e përçarë është vënë nën presion nga SHBA dhe mbështetësit e tjerë për të arritur një marrëveshje.
Lartësitë Golan, një rrafshnaltë shkëmbore në Sirinë Jugperëndimore, kanë një pozicion politik dhe strategjik të rëndësishëm. Izraeli i pushtoi ato në fazën e fundit të Luftës Gjashtëditore të vitit 1967 dhe mposhti një përpjekje të Sirisë për t’i rimarrë në vitin 1973. Të dyja vendet nënshkruan një armëpushim dhe vëzhgues të OKB-së patrullojnë zonën që nga ajo kohë. Aneksimi i njëanshëm i zonës nga Izraeli më 1981 nuk është pranuar nga ndërkombëtarët.