Drejtoria Antimafia e Barit ka publikuar pamjet nga operacioni i zhvilluar në bashkëpunim me SPAK kundër një grupi të strukturuar kriminal, i dyshuar për pastrim parash dhe përfshirje në vrasje.

Në videot e bëra publike nga autoritetet italiane shfaqen mijëra euro të sekuestruara gjatë aksionit, ndërsa sipas kreut të SPAK, Klodian Braho, vlera totale e shumës së bllokuar arrin rreth 1 milion euro.

Pamjet tregojnë gjithashtu rrënojat ku u gjet trupi gjysmë i djegur i 26-vjeçarit italian Francesco Diviesti, ngjarje për të cilën dyshohet se përgjegjës është i njëjti grup kriminal. Vrasja kishte ndodhur në maj të vitit të kaluar dhe kishte tronditur opinionin publik në Itali.

Operacioni i përbashkët çoi në ekzekutimin e 15 masave të sigurisë ndaj anëtarëve të dyshuar të grupit kriminal, ku 10 prej tyre u realizuan në Tiranë.