Policia e shtetit pajiset me një flotë të re prej 11 makinash elektrike. Sot u bë prezantimi i tyre në ambientet para ministrisë.
Janë makina që nuk përdorin një pikë karburant. Karikohen në prizën e shtëpisë dhe shpenzojnë shumë-shumë pak. Më pak se një kafe në ditë në mes të Bllokut.
Këto makina shpenzojnë 1200 lekë të vjetra për 100 kilometra. Ndërkohë që një makinë normale në Policinë e Shtetit për 100 kilometra shpenzon diku te 30.000 lekë. Është kursim i paimagjinueshëm, në pikëpamje të buxhetit e po ashtu të mirëmbajtjes.
Duke risjellë në vëmendje gjenden në të cilën sipas tij ishte policia e shtetit tre vjet më parë, që nga pikëpamja teknologjike dhe infrastruktura, ministri Tahiri u shpreh se mënyra më e mirë për të rritur shërbimin ndaj qytetarëve është të forcojë kapacitetet e policisë së shtetit.
“Janë makina që nuk përdorin aspak karburant, shpenzojnë shumë pak. Shqipëria bëhet kështu i vetmi vend në rajon që ka një flotë të tillë makinash dhe një ndër 5 vendet e vetme në Europë. Kjo nuk është vetëm një reformë, por një kthesë e madhe në mentalitet. Hapim një kapitull të ri në gjeneratën e së ardhmes, ndotja e mjedisit për këto makina është 0. Është edhe një përgjigje ndaj atyre që pretendojnë se mbrojnë çështje të mjedisit siç po diskutohet ditëve të fundit ligji i mbetjeve. Këto mjete do i kushtojnë shumë më pak buxhetit të shtetit dhe do të jenë shumë më produktive për mjedisin”, tha Tahiri.
5 tetor 2016 (gazeta-Shqip.com)