Pas konfirmimit të rastit të parë me Virusin e Nilit Perëndimor në Shqipëri, epidemiologia e Institutit të Shëndetit Publik, Adela Vasili, ka dhënë detaje mbi mënyrën e transmetimit dhe masat parandaluese. Rasti është konfirmuar në qarkun e Korçës gjatë muajit gusht. Sipas epidemiologes Vasili, dyshohet se personi është infektuar nga pickimi i një mushkonje, ndërsa theksohet se mushkonjat që mund të transmetojnë virusin janë të pranishme edhe në vendin tonë.

“Është menduar se rasti është marrë nga pickimi i ndonjë mushkonje. se Sëmundja transmetohet përmes mushkonjave të infektuara dhe jo nga një person te tjetri dhe kjo nuk përben rrezik”, ka deklaruar Vasili.

Ajo deklaroi se zonat me risk më të lartë janë ato bregdetare: “Instituti ka kryer një studim të zonave ku ka risk, janë zonat bregdetare për praninë e kësaj mushkonje”.

Vasili tha se shenjat janë ato të një gripi të lehtë, ndërsa theksoi se personat mbi 60 vjeç dhe ata me probleme shëndetësore janë më të rrezikuar.

“Shenjat janë të një gripi të lehtë. Te rrezikuar janë personat që janë mbi 60 vjeç, ata që kanë imunitet të ulët dhe ata që kanë bërë transplante apo ndërhyrje të rënda. Pra jo çdo person që mund të pickohet nga mushkonja dhe jo çdo mushkonje mund të shkaktoje virusin”, tha mjekja.