Një 58-vjeçar shqiptar është shpallur fajtor në Britaninë e Madhe, pasi tentoi të transportonte 17 emigrantë nga Franca drejt territorit britanik, duke përdorur një jaht.

Sipas Agjencisë Kombëtare të Krimit në Britani (NCA), bëhet fjalë për Eno Gajdën, i cili u arrestua më 27 gusht nga oficerët e sigurisë kufitare në brigjet e Dorset.

Autoritetet bëjnë me dije se shqiptari ishte nisur me një jaht rreth 40 këmbë të gjatë nga Dielette, në Francë, me synimin për të mbërritur në zonën bregdetare pranë Portlandit. Mjeti lundrues u pikas nga autoritetet britanike dhe u ndalua, ndërsa më pas u shoqërua drejt portit të Portland Marina.

Në bord u gjetën 17 persona, mes tyre 16 burra shqiptarë dhe një i mitur. Pas arrestimit, Gajda u akuzua për lehtësimin e emigracionit të paligjshëm dhe më 26 tetor pranoi fajësinë përpara Gjykatës së Kurorës në Bournemouth. Seanca për caktimin e dënimit është planifikuar të mbahet më 18 nëntor.

Përfaqësues të autoriteteve britanike e cilësuan transportimin e emigrantëve në këtë korridor detar si një veprim të rrezikshëm, që mund të vinte në rrezik jetën e personave në bord.

Ndërkohë, Komanda e Sigurisë Kufitare dhe Agjencia Kombëtare e Krimit kanë deklaruar se do të vijojnë bashkëpunimin për të goditur rrjetet që merren me kontrabandën e emigrantëve.

Sipas NCA-së, hetimi dhe lufta kundër grupeve kriminale të përfshira në këtë aktivitet mbeten ndër prioritetet kryesore të agjencisë, e cila aktualisht ka më shumë se 100 hetime aktive ndaj individëve dhe rrjeteve të dyshuara për kontrabandë emigrantësh.