Dhomat e Specializuara në Hagë kanë shpallur vendimin ndaj Jakup Krasniqit, duke e dënuar ish-drejtuesin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me 25 vite burgim.

Trupi gjykues e gjeti Krasniqin fajtor për një pjesë të akuzave që lidheshin me krime të kryera ndaj disa personave gjatë periudhës së luftës në Kosovë.

Mes veprave për të cilat u shpall fajtor përfshihet edhe vrasja e paligjshme, e cilësuar nga gjykata si krim lufte.

Ndërkohë, për disa prej pikave të tjera të aktakuzës, Krasniqi u shpall i pafajshëm. Sipas trupit gjykues, në këto raste nuk u arrit të provohej përgjegjësia e tij përtej dyshimit të arsyeshëm.

Vendimi ndaj Krasniqit u dha në kuadër të procesit gjyqësor ku të akuzuar janë edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.