Deputeti Erion Braçe ka folur sot në “Shqipëria Live” në lidhje me denoncimin që bëri për skemën mashtruese të firmave piramidale online.

Ai tha se është penduar që e ka denoncuar, pasi sipas tij, prokurorët e kanë akuzuar se ka prishur hetimet. Megjithatë, ai shtoi se hetimet e deritanishme nuk kanë zbuluar asgjë, pasi kjo skemë është shumë më e gjerë dhe ka njerëz të tjerë të përfshirë, që ende nuk janë zbuluar.

“Jam bërë pishman për denoncimin. Një prokuror më bëri përgjegjës se përse fola sepse ata ishin nën hetim etj, etj. Më bëri përshtypje që policia e kishte zbardhur skemën pasi unë fola. Por nëse hetimi është vetëm kaq, sa të përcaktojnë këto masa sigurie nuk kanë bërë asgjë.

Kjo skemë është shumë e gjerë. Nisi në Shqipëri, e arriti në Kosovë, ku tërhiqen dhe paratë. Ka dhjetëra veta që kanë qindra veta në grupe Whatsapp, e janë me kokë në skemën piramidale. Ky profesori është makineri. Ky djali që kishte frikë nga unë, që ishte ndaluar dje, ky duhet zbërthyer. Ku ka qenë në Tiranë se është trajnuar, me kë ka të bëjë. Ka njerëz të tjerë pas kësaj gjëje. Prokurorët  e policët duhet të kuptojnë se unë nuk bëj punën e tyre. Unë kam detyrimin të flas sepse duhet t’u flas qytetarëve, nuk më intereson kush po heton atje mbrapa.”-tha Braçe.