Në një kohë kur Partia Demokratike duket se heziton të nxjerrë kandidatë për Bashkinë e Tiranës, ku emrat e përmendur deri tani janë tërhequr njëri pas tjetrit, një zë i ri ka dalë si vullnetare: pedagogia Xhoi Jakaj.

Në një intervistë televizive, Jakaj u shpreh se prej vitesh ka pasur ambicie për të qenë pjesë e politikës aktive, megjithëse për një periudhë kohë është distancuar prej saj. “Kam aspiruar pjesëmarrjen në politikë prej kohësh. Mendoj se qytete si Tirana, Shkodra, Vlora dhe Durrësi duhet të drejtohen nga kryetarë jopartiakë”, tha ajo.

Jakaj theksoi se ideja e saj është e hapur dhe mund të merret nga kushdo, ndërsa kandidatura e saj mbetet në varësi të perceptimit publik dhe politik. “Unë e hodha idenë, le ta marrë kush të dojë. Varet a më shohin si kandidaturë të mundshme”, u shpreh ajo, duke lënë të kuptohet se, nëse shihet si një alternativë serioze, është e gatshme të sfidojë skenën aktuale politike.

Xhoi Jakaj është gjithashtu nëna e modeles së famshme Oriola Marashi.