Azilkërkuesit shqiptarë vijojnë të përbëjnë një numër të madh në Britaninë e Madhe, teksa rastet janë nga më të ndryshmet.

Sa fundmi, “Daily Mail” ka publikuar historinë e një shqiptari, të cilit kërkesa për të qëndruar si azilant në Mbretërinë e Bashkuar i është refuzuar. Sipas medias britanike, Esmir Demaj bëri kërkesë për azil në Angli, duke pretenduar se ishte gej dhe se në Shqipëri i rrezikohej jeta, për shkak të diskriminimit të këtij komuniteti në vendin tonë. Po ashtu, ai pretendonte se familja e tij nuk e pranonte dhe se nuk kishte asnjë kontakt më me ta.

Kjo kërkesë iu drejtuar zyrës britanike të emigracionit në prill 2023, e cila i dha një përgjigje negative. Pas kësaj, Demaj u rikthye në Shqipëri dhe në shtator të të njëjtit vit, i drejtoi një tjetër kërkesë “Home Office” duke thënë se duhet të merrte leje qëndrimi në Britani për t’u bashkuar me bashkëshorten e tij.  Ai argumentonte se seksualiteti i tij kishte ndryshuar dhe se tashmë ishte i përfshirë në një martesë të lumtur.

Kjo ngriti dyshime për një tentativë për mashtrim dhe më vonë, u zbulua që marrëdhënia e Demajt me gruan e tij aktuale ndodhi në të njëjtën kohë kur ai pretendonte se ishte homoseksual.

Duke e rrëzuar apelin e tij, gjyqtari përfundimisht arriti në përfundimin se Demaj “zgjodhi qëllimisht të mos zbulonte se tani ishte në një lidhje me një grua dhe ishte pajtuar me të atin, sepse besonte se kjo nuk do ta ndihmonte të qëndronte në Mbretërinë e Bashkuar”.